SHOPPING CART
No products in the cart.
Një hapësirë mrekullisht origjinale që kërkonte disa detaje të këndshme për t’u shndërruar në një strehë ëndërrimtare – të mbushur me dritë, dashuri dhe harmoni.
Kjo dhomë nënkulmi u projektua për Albanën dhe Ardianin. Albana është gjithashtu motra ime, gjë që e bëri projektin edhe më të veçantë. Ne u rritëm pikërisht në këtë lagje të Prishtinës, duke ëndërruar shpesh se si do të ishte të jetonim në një dhomë nënkulmi atje tek ‘banesat e bardha’ siç i quanim ne– një grup apartamentesh të ndërtuara në vitet 1980. Ajo gjithmonë imagjinonte të kishte një shtrat nën një dritare nënkulmi, ndërsa unë përfytyroja çfarë lloj mobiljesh dhe objektesh të vogla mund të jetonin në ato hapësira të pjerrëta. Vite më vonë, ëndrra e saj u bë realitet – dhe me të edhe e imja.
Hapësira është plot dritë natyrale që ndryshon gjatë gjithë ditës, duke sjellë ngrohtësi, hije dhe butësi. Një nga zgjedhjet e para në procesin e dizajnit ishte një letër muri e frymëzuar nga Toile de Jouy, që vendosi një ton nostalgjik dhe romantik për të gjithë dhomën.
Elementet e personalizuara pasqyrojnë këtë vizion: detajet zigzag në shtrat dhe dollap sjellin në mendje mobiljet e fëmijërisë, të riimagjinuara në një formë bashkëkohore. Gjithashtu, përfshiva dy prej dizajneve të mia – llambat murale Leka, të punuara me dorë nga kunguj të tharë të rritur në pemishten tonë familjare, dhe Pasqyra Ajo, e frymëzuar nga Hyjnesha në Fron, simboli i lashtë i fuqisë femërore dhe trashëgimisë shqiptare.
Qilimi Smile at Me nga Muza Rugs shton një shtresë tjetër rrëfimi kulturor me motive tradicionale shqiptare të sjella në një formë moderne.
Në anën tjetër të dhomës, një ndarje me kornizë kaltër të butë ndan dhomën e gjumit nga banjoja – një ndarje artistike dhe e qëllimshme që ruan lidhjen vizuale mes hapësirave. Meqë banjoja ka një tavan më të ulët, shtuam një dritare të rrumbullakët për të sjellë më shumë dritë natyrale dhe një ndjenjë hapjeje dhe përkatësie midis dhomave.
Viti i Përfundimit: Qershor 2024
Vendndodhja: Prishtinë, Kosovë
Madhësia: 30m²
Leave a Reply